Shpërndaje:

Ministri Mançevski merr pjesë në konferencën “Ditët e mediumeve BE – Ballkani Perëndimor”

 

Podgoricë, 13 shtator 2019

Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës Damjan Mançevski, sot mori fjalën në seancën e panelit përkushtuar “Politikave dhe mediumeve” në kuadër të konferencës më të madhe mediatike “Ditët e mediumeve BE – Ballkani Perëndimor”.

Ministri Mançevski u ndal në reformat e bëra këto dy viteve të fundit në sferën mediatike të Maqedonisë së Veriut, në Ligjin e ri për shërbimet mediatike, audio dhe audiovizuele, në sfidat e paraqitura gjatë menaxhimit të dezinformatave dhe lajmeve të rreme, si dhe konceptit të vetërregullimit.

“Gazetarët janë luftëtarë të rinj të lirisë dhe mekanizëm mbrojtës, andaj ne duhet t'u sigurojmë të gjitha mjetet e nevojshme që ata të mund ta luftojnë atë betejë. Roli ynë është që të përfshihemi në reformat, mirëpo politikanët nuk janë ata që duhet ta udhëheqin atë betejë”, theksoi ministri Mançevski, duke u ndalur në ndryshimet e Ligjit të ASHMAA-së.

Duke folur mbi vetërregullimin, ministri Mançevski potencoi se ka besim në konceptin, por rezultatet ende s’janë të dukshme. Sipas tij, përballë dëmeve dhe vrullit çdo herë e më të madh të lajmeve të rreme, nevojiten masa konkrete për rregullim.

“Përvojat e Referendumit për ndryshimin e emrit, vërtetuan se ata që janë në anën tjetër të së vërtetës dhe të gazetarisë profesionale, janë të organizuar dhe shkaktojnë dëm të pariparueshëm mbi principet demokratike në vendin tonë”, tha ministri Mançevski.

Në raport të mirëmbajtjes së mediumeve të pavarura dhe gazetarisë profesionale, ashtu siç theksoi ministri Mançevski, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, hoqi plotësisht financimin dhe reklamimin e mediumeve. Në këtë mënyrë, bëri një ndryshim të rëndësishëm, për dallim të Qeverisë së kaluar që tërësisht i financonte mediumet dhe në këtë mënyrë ndikonte në punën e tyre.

“Ende është debati i hapur dhe nuk ka përgjigje të saktë ndaj pyetjes se a është e nevojshme që mediumet të mbështeten financiarisht, me garancion se nuk do të ndikohet në politikën editoriale”, përmbylli ministri Mançevski, duke hapur debatin për vetërregullim dhe mbështetje që Qeveria duhet të sigurojë për mediumet.

Pranë ministrit Mançevski, në seancën e panelit morën fjalën: Zhelko Putoviq, nga Qeveria e Malit të Zi, Alfred Lela nga Politiko, Elena Çerniavska nga OSBE-ja, Esmir Milaviç – N1 dhe Valerie Hopkins nga Financial Times.

Prezenca e ministrit Mançevski në konferencë u përshëndet në mënyrë të veçantë nga organizatori dhe pjesëmarrësit tjerë, pasi ishte ministri i vetëm i Ballkanit Perëndimor, që pranoi ftesën dhe në mënyrë aktive mori pjesë në ngjarje.

Konferenca u organizua nga Komisioni Evropian.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës

MINISTËR

Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës

Search form