Ministri Jeton Shaqiri merr pjesë në “online” konferencën rajonale të nivelit të lartë, dedikuar sigurisë kibernetike

Shkup, 3 mars 2021

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jeton Shaqiri, në suaza të “online” konferencës rajonale, u drejtua në panelin e diskutimit të titulluar: ,,Rezistenca kibernetike dhe ndërtimi i kapaciteteve mbi sigurinë kibernetike të Ballkanit Perëndimor”.

Në fjalimin e tij, ministri Shaqiri potencoi se ndërtimi i standardave të përbashkëta për zhvillim të sigurisë kibernetike është theksuar si një nga prioritetet strategjike të Qeverisë për vitin 2021 dhe janë përfshirë në Strategjinë Nacionale për Sigurinë Kibernetike 2018-2022. Njëkohësisht, Projekt-ligji për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit transponon Direktivën NIS të Bashkimit Evropian dhe kur do të miratohet, do të jetë legjislacioni më i lartë për sigurinë kibernetike në vend.

,,Aktualisht, Qendra nacionale për përgjigje të incidenteve kompjuterike (MKD-CIRT) është vendi zyrtar nacional i kontaktit dhe koordinimit në trajtimin e incidenteve të sigurisë në rrjete dhe sistemeve të informacionit. MKD-CIRT ka një numër të konsiderueshëm të njësive përbërëse vullnetare, përfshirë operatorët kritikë të infrastrukturës. Megjithatë, roli i MKD-CIRT, siç definohet në Ligjin për Komunikimet Elektronike, është thjesht këshillëdhënës dhe ata nuk mund të vendosin masa për sigurinë e informacionit dhe as të organeve qeveritare. Ligji i ri mbi sigurinë e rrjetit dhe sistemeve të informacionit, kur transponon Direktivën për NIS të Bashkimit Evropian, duhet të përmirësojë ndjeshëm legjislacionin e sigurisë kibernetike në vend. Me miratimin e këtij ligji, gjithashtu do të përcaktohen ofruesit e shërbimeve thelbësore dhe do të promovohet bashkëpunimi strategjik dhe shkëmbimi i informacioneve. "Krijimi i një organi nacional kompetent për NIS rregullohet edhe me këtë ligj," theksoi Ministri Shaqiri.

Ministri, potencoi se siguria kibernetike është pjesë integrale e çdo shtylle të agjendës digjitale, ndërsa ne si vend jemi të gatshëm të angazhohemi në implementimin e secilit aspekt të sigurisë kibernetike: juridik, teknik, organizativ, ndërtimit të kapaciteteve dhe bashkëpunimit. Konferenca organizohet nga Qendra e Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Sllovenisë dhe Qeverisë Britanike dhe do të zgjasë tre ditë. Në Konferencë, marrin pjesë Ministrat ose sekretarët shtetërorë të të gjitha ministrive të ekonomive të Ballkanit Perëndimor përgjegjës për menaxhimin e sigurisë kibernetike, si dhe kreatorët kyç të politikave të sigurisë kompjuterike të Ballkanit Perëndimor, organizatat ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe ekspertët.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës