Shpërndaje:

Ministri Mançevski hap garën ndërkombëtare të robotikës dhe të inteligjencës artificiale “RoboMac-2020”

Shkup, 09 mars 2020

Në Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive Informatike në Shkup, sot filloi gara ndërkombëtare e robotikës dhe të inteligjencës artificiale “RoboMac-2020”. Këtë vit, 15 studentë nga Maqedonia e Veriut dhe shtete të tjera, do të garojnë në fushën e robotikës dhe të inteligjencës artificiale.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski i dëshiroi suksese studentëve dhe shumë zgjidhje inovative, duke shtuar që ky event mbahet dhjetë vite me rend dhe është i njohur, jo vetëm për FSHIIK-në, por edhe për vendin tonë.

Njëkohësisht, ai apeloi te studentët, që pas kryerjes së studimeve, të mundohen që të arrijnë sukses këtu, në vend që të largohen prej vendit.

“Qëllimi ynë si MSHIA dhe si Qeveri, është që të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë në sigurimin e të gjitha parakushteve, që të bëni zgjidhjen e duhur dhe të mos largoheni. Andaj, para dy viteve e filluam projektin – Garancia rinore, me çka parashihet mundësia cilësore e punësimit, arsimimi i mëtutjeshëm, rikualifikimet, stazhimi ose puna praktike. Kjo është kyçe për të integruar suksesshëm të rinjtë në tregun e punës dhe reduktimin e largimit të kuadrit arsimor nga vendi. Tashmë ky projekt po jep rezultate dhe një numër i madh i të rinjve po i shfrytëzojnë mundësitë që i ofron ky program në fillimin e bizneseve të tyre. Në atë drejtim janë edhe thirrjet e vazhdueshme të Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik, që mezi presin të mbështesin ndonjë projekt inovativ. Kjo mund të jetë diçka që pikërisht ju mund ta bëni këto ditë”, theksoi ministri Mançevski.

Ministri Mançevski rikujtoi se MSHIA organizon edhe “Hackathon” për të dhënat e hapura këtë të premte, dhe se thirrja për aplikim zgjat deri më sot.

Përndryshe, RoboMac 2020 e organizojnë studentët e IEEE Degës studentore pranë Univeristetit “Shën. Kirili dhe Metodi” – Shkup, me qëllim të popullarizimit të robotikës dhe inteligjencës artificiale mes studentëve dhe të rinjve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rajonet fqinje, përderisa bëhet inicializimi dhe mbështetja e funksionimit të shumë projekteve tjera lidhur me robotikën. Studentët, përmes punëtorive dhe ligjëratave, marrin njohuri dhe përvojë në punën me grupe.

Eventi përmbyllës i këtij manifestimi disaditor do të mbahet më 14.03.2020 (e shtunë) me fillim nga ora 18 në Pallatin e ARM-së.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës