Shpërndaje:

Ministri Jeton Shaqiri mori pjesë në Konferencën e 16-të ndërkombëtare e-Society, në organizim të ,,Metamorfozis”

Shkup, 25 nëntor 2020

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe administratës Dr.Jeton Shaqiri mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare e-Society me temë ,,Përfshirje dhe efektivitet – udhëheqje e mirë dhe internet”, e cila u mbajt online, në organizim të shoqatës “Мetamorfozis“.

Ministri Shaqiri ishte njëri nga biseduesit kryesorë të sesionit hyrës të titulluar: ,,Çelësi për udhëheqje të mirë, procese të hapura dhe të dhëna”, bashkë me Dejvid Gir, Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Kristina Reinsalu, Drejtoreshë e programit për e-demokraci në Akademinë për e-qeverisje nga Estonija.

Rëndësia e udhëheqjes së mirë dhe roli i agjendës digjitale në avancimin dhe përforcimin e demokracisë, ishin në fokus të prezantimit të tyre.

,,Agjenda digjitale e Ballkanit perëndimor është e lidhur ngushtë me aktivitetet të cilat ne si ministri i realizuam deri më tani, por edhe i planifikojmë në periudhën në vijim. Me qëllim që ta minimizojmë ndarjen digjitale, duhet të sigurojmë që të gjithë qytetarët të munden t’i shfrytëzojnë përfitimet e teknologjive të reja. Qeveria do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjithë qytetarët, organizatat joqeveritare dhe partnerët e tjerë me qëllim të progresit ekonomik, por edhe do të mbetet fleksibile dhe përgjegjëse pranë mundësive të reja dhe sfidave”, theksoi në fjalimin e tij ministri Jeton Shaqiri.

Ministri Shaqiri, potencoi se MSHIA-ja është koordinatore e iniciativave të Partneritetit të Qeverisjes së Hapur, e cila e përcakton përpjekjen për përmirësimin e vazhdueshëm të punës së Qeverisë, bazuar në institucione qeveritare efikase, të hapura, transparente dhe të sigurta, të cilat komunikojnë dhe bashkëpunojnë me qytetarët.

Ministri bëri të ditur se në kontinuitet po punohet edhe për të inkurajuar publikimin dhe shfrytëzimin e të dhënave të hapura, me qëllimin final që të rritet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve shtetërore, të përmirësohet cilësia e shërbimeve të cilat ato i ofrojnë, të rritet ndërgjegjësimi i të gjithë faktorëve në procesin e të dhënave të hapura, ndërsa në të njëjtën kohë për të inkurajuar edhe inovacionet.

Ministri Shaqiri, njëkohësisht iu referua rëndësisë së lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, mbrojtjes së pluralizmit mediatic, të drejtës së informimit, zhvillimit të mediave dhe produksionit të pavarur dhe zhvillimit të shkrimit mediatic, duke theksuar se parandalimi i përhapjes së lajmeve të rrejshme është një nga sferat ku nevojitet angazhim nga të gjithë palët e interesuara në shoqëri.

,,Mendimi kritik dhe shkrimi mediatik janë mjetet më të rëndësishme të cilat mundemi t’i praktikojmë në luftën me lajmet e rrejshme. Këto janë aftësitë themelore me të cilat duhet të disponojë e gjithë popullata që të mundet të përballet në botën digjitale. Sipas hulumtimeve dhe projeksioneve të Bashkimit Evropian, pas vitit 2020-të deri më 90% nga vendet e punë do të kërkojnë nivel të caktuar të aftësive digjitale. Kjo është marrë parasysh gjatë përgatitjes së strategjisë afatgjate të TIK-ut, e cila është aktualisht ne fazë finale. Një nga shtyllat kyçe në këtë strategji janë aftësitë digjitale. Do të punojmë në avancimin e aftësive digjitale të tërë popullatës”, theksoi ministri Shaqiri.

Minsitri, potencoi se hapësira e internetit duhet të jetë e lirë, neutrale dhe e disponueshme për të gjithë, ndërsa qytetarët të jenë të mbrojtur nga rreziqet e përhershme. Pikërisht, siç bëri të ditur ministri, sigurimi i hapësirës kibernetike, të hapur, të lirë, të besueshme dhe të sigurtë është veçuar si një nga qëllimet kyçe të Strategjisë.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës