Prezantimi i Raportit Vjetor për të Punësuarit në Sektorin Publik për vitin 2020-të "Reduktohet numri i të punësuarve"

Shkup, 8 prill 2021

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jeton Shaqiri, sot prezantoi Raportin Vjetor të të Punësuarve në Sektorin Publik për vitin 2020-të. Ministri potencoi se në përputhje me obligimin ligjor, Raporti është i publikuar në Web-faqen e ministrisë.

Me përmbylljen e datës 31 dhjetor 2020-të, numri i të punësuarve në sektorin publik është 131.183 persona, të cilët angazhimin e tyre e realizojnë në gjithsej 1.332 institucione.

Prej numrit të përgjithshëm, 19.594 persona të punësuar janë në Armatë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Sigurisë Nacionale dhe në Drejtorinë e Policisë Financiare. Për këta persona të punësuar, në Raport nuk janë pasqyruar analiza të tjera të detajuara dhe kjo për arsye të sigurisë dhe ligjore. Përpunim i detajtuar i prezantimit të të dhënave kryhet për 111.589 personat e tjerë të punësuar.

Ajo që duhet të theksohet është se numri i të punësuarve në organet e pushtetit shtetëror, paraqet vetëm 12,2%  nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik. Përkatësisht prej gjithsej 131.138 persona, tha ministri Shaqiri.

Sipas analizës së të dhënave në Raportin për vitin 2020-të, konstatohet se më i lartë është numri i të punësuarve në sferën e arsimit me 32%, vijon veprimtaria e shëndetësisë me 19%, drejtoritë me 14%, pastaj të punësuarit në veprimtaritë komunale të ndërmarrjeve publike me 9.6%.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në sektorin publik është reduktuar për 1.717 persona.

            Reduktim të numrit të të punësuarve ka në organet e pushtetit shtetëror. Në vitin 2019-të, në organet e pushtetit shtetëror ka pasur të punësuar 16.522 persona, ndërsa në vitin 2020-të, ky numër është siç theksuam 15.954 persona, që është reduktuar për 577 të punësuar ose 3%. Por, nëse si shtet në vitin 2020-të shënojmë rënie të numrit të të punësuarve në aparatin shtetëror, ky nuk është rast me punësimet në institucionet në disa prej sektorëve kyç si shëndetësia dhe mbrojtja e fëmijëve dhe sociale. Në këta sektorë, Raporti tregon rritje të numrit të të punësuarve. Kjo ilustron se punësimet e reja po bëhen atje ku ka më tepër nevojë”, potencoi ministri Shaqiri.

           Në aspekt të strukturës arsimore, në vitin 2020-të, është rritur numri i personave të punësuar me kualifikime të larta arsimore. Në fakt, më tepër se gjysma, përkatësisht 53.62% e personave të punësuar në sektorin publik kanë më së paku arsim të lartë, ndërsa 2.660 persona janë doktorë të shkencave.

           Në aspekt të strukturës gjinore, numrin më të lartë të të punësuarve në sektorin publik e përfaqëson gjinia femërore me 54,83%, ndërsa gjinia mashkullore përfaqësohet me 45,17%.

         Grup-mosha mesatare e të punësuarve është 46 vjeç. Sa i takon përkatësisë etnike, në nivelin e tërë sektorit publik, Maqedonasit janë të përfaqësuar me 74,49%, Shqiptarët me 20,08%, Turqit me 2,18%, Romët 1,40%, Serbët me 1,16%, Boshnjakët me 0,51% dhe Vllehët 0.49%.

          Përndryshe, edhe pse kjo nuk përfaqëson obligim ligjor, edhe këtë vit janë publikuar të dhëna edhe për numrin e të punësuarve në Shoqëritë aksionare në pronësi shtetërore dhe për personat e punësuar nëpërmjet Agjencive për punësime të përkohshme.

 

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës