Takimi i ministrit Shaqiri me përfaqësuesit e SpaceX për sigurimin e internetit të shpejtë

Shkup, 9 qershor 2021

Ministri Jeton Shaqiri, sot zhvilloi takimin e parë me përfaqësuesit e Space Exploration Technologies Corporation, ose e njohur ndryshe si “SpaceX”.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës po kërkon opsionet më të mira për të siguruar internet të shpejtësisë së lartë për të gjithë qytetarët e vendit tonë, në zonat urbane dhe në ato rurale, të cilët nuk kanë akoma qasje në internet, si dhe për mundësitë e përmirësimit të lidhjes së internetit në të gjitha zonat dhe qytetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

MSHIA-ja, do të bashkëpunojë me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të kërkojë mënyra për të subvencionuar lidhjen e internetit për klientët nëpërmjet një sistemi të menduar mirë të “vauçerëve”, duke marrë shembull vendet e tjera të Europës, në rastin konkret, Gjermaninë.

,,Arritja e shpejtësisë së internetit prej 300 Mbps për çdo shtëpi, edhe në zonat më të thella të vendit, është qëllimi të cilin duhet ta arrijmë në fund të implementimit të këtij projekti", theksoi ministri Shaqiri.

Ministri Shaqiri, gjithashtu bëri të ditur se bisedimet me kompaninë e drejtuar nga Elon Musk të SpaceX-it, do të vazhdojnë edhe më tej dhe si rrjedhojë shpresojmë se do t’u sjellim shërbime më të mira qytetarëve tanë.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës