Shaqiri: “Mbështetja e përshpejtimit të procesit të digjitalizimit, më se е mirëpritur”

Shkup, 4 gusht 2021

Procesi i digjitalizimit ishte tema kyçe e takimit të sotëm ndërmjet ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës - Jeton Shaqiri, të Koordinatores së Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut - Rosana Duxhak dhe të udhëheqësit të Zyrës së ITU (International Telecommunication Union) për Evropën – Jarosllav Ponder.

Ministri Shaqiri, gjatë takimit bëri prezantimin e aktiviteteve të shumta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në aspekt të digjitalizimit të përshpejtuar. Ndërmjet aktiviteteve është edhe Strategjia Nacionale e TIK-ut 2021 -2025, e cila pothuajse dy muaj është e publikuar në ENER, për arsye të marrjes së komenteve nga të gjitha palët e interesit dhe pas integrimit të vërejtjeve do të mirattohet prej Qeverisë.

Ministri, gjithashtu i theksoi edhe shtyllat e Infrastrukturës, të Centralizimit të resurseve, të Aftësive Digjitale, si jashtëzakonisht të rëndësishme në mbështetjen e digjitalizimit.

Nga ana e përfaqësuesve të UN dhe ITU u prezantuan modelet e mbështetjes teknike, të cilat përmes agjencive të ndryshme i japin institucione të ndryshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, nga ana e tyre u shpreh gatishmëri që të ofrohet mbështetje e impelmentimit të Strategjisë Nacionale të TIK-ut, veçanërisht në pjesën e Aftësive digjitale.