Në qytetin e Ohrit promovohet projekti “Një pikë shërbimi”, Shaqiri: Një hap para në procesin e digjitalizimit

Ohër, 20 gusht 2021

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, z.Jeton Shaqiri së bashku me kryetarin e Qytetit të Ohrit, z.Konstandin Georgieski morrën pjesë në hapjen zyrtare të qendrës së shërbimeve publike – “Një pikë shërbimi”.

Me këtë, z.Shaqiri theksoi se digjitalizimi i shërbimeve është proces shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

-“Sot në Ohër, po promovojmë qendrën “Një pikë shërbimi”. Ky është një investim i drejtpërdrejtë i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe synojmë që kjo qendër të shndërrohet në një lokacion shumë të frekuentuar ku qytetarët e Ohrit do të marrin shërbimet e kërkuara. Aktualisht, ofrojmë 62 shërbime të drejtpërdrejta, jemi ndërmjetësues për mbi 65 shërbime dhe ofrojmë mbi 800 informacione të nevojshme për marrjen e shërbimeve. Kjo është qendra e pestë me rradhë të cilën po e hapim pas atyre në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Manastir”, bëri të ditur ministri Jeton Shaqiri.

Më tej, në fjalimin e tij theksoi se: “Ne nuk do ndalojmë këtu. Planifikojmë të hapim qendra të ngjashme në të gjitha qytetet e vendit. Aktualisht, jemi në bisedime me Postën e Maqedonisë, në lidhje me këtë projekt, për të shfrytëzuar zyrat dhe kapacitetet e filialeve të Postës së Maqedonisë, ku si rrjedhojë do kemi mundësi të hapim zyrat tona “Një pikë shërbimi” edhe në të gjitha Komunat e vendit”.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës