Shaqiri: I fokusuar drejt së ardhmes dhe sfidave të reja

Shkup, 14 janar 2022

"Sot, përmbylla edhe ditën time të fundit si Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Që nga dita ime e parë e marrjes së këtij mandati dhe deri në ditën e tij të fundit, puna ime është karakterizuar dhe udhëhequr nga parimi i transparencës dhe ndershmërisë sepse unë besoj se ndershmëria është politika më e mirë.

Ka qenë një periudhë e mbushur me shumë sfida dhe arritje. Reforma në administratën shtetërore ,,Ligji për udhëheqësit e lartë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik, Ligji për nëpunësit administrativ, digjitalizimi i shërbimeve, projekti “Një pikë shërbimi”, sistemi i interoperabilitetit, identifikimi digjital, Strategjia nacionale e TIK-ut, web-faqet e unifikuara, Strategjia e të dhënave të hapura, Sistemi për menaxhimin e dokumenteve (DMS), projekti për sigurinë kibernetike, “Roam like at home”, përmirësimi i rrjetit të telekomunikimit, harmonizimi i legjislacionit vendas me atë evropian në fushën e medias janë procese të pakthyeshme, për realizimin e së cilëve është punuar dhe po punohet me përkushtimin më të madh.

Këto procese janë të pandalshme dhe të pakthyeshme, ashtu siç është edhe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt integrimeve euroatlantike dhe Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, jam i gatshëm që ministrit të ardhshëm t’i ofroj mbështetjen dhe konsulencën time, në mënyrë që të vazhdojë pa pengesa realizimi i këtyre proceseve.Tani i gjithë fokusi im drejtohet kah e ardhmja dhe sfidat e reja që ajo sjell me vete. Duke e njohur veten time dhe duke u udhëhequr nga parimet e transparencës dhe ndershmërisë në punë, besoj se do t’ja dal mbanë me sukses secilës sfidë me të cilën do të përballem."

 

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës