Aliti: MSHIA punon në mënyrë aktive në politikën e të dhënave të hapura

Shkup, 18 maj 2022

Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Admirim Aliti, sot kishte fjalimin hyrës në Konferencën Ndërkombëtare të të Dhënave të Hapura, me temë: ,,Të dhënat dhe kultura e hapjes”, organizuar nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri ,,Metamorfozis“, në suaza të projektit të USAID-it për pjesëmarrje qytetare.

Në fjalimin e tij, ministri Aliti iu referua rëndësisë së hapjes së të dhënave, si dhe aktiviteteve të vazhdueshme të MSHIA-së në këtë drejtim.

,,Me përmbylljen e ditës së sotme, në Portalin e të dhënave të hapura, janë të publikuara 543 sete të të dhënave nga 72 institucione të sektorit publik. MSHIA-ja në bashkëpunim me ,,Metamorfozis” dhe në suaza të projektit të USAID-it për pjesëmarrjen qytetare, punon në ciklin e tretë mbi realizimin e aktiviteteve për mbështetjen e institucioneve në procesin e hapjes së të dhënave të tyre, si janë: Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Ministria e Punëve të Brendshme, Byroja e Prokurimeve Publike, Instituti i Shëndetit Publik dhe Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë”, theksoi ministri Aliti.

Ministri Alit, i vuri në pah aktivitetet siç janë: trajnimi dy ditor ‘online’ për anëtarët e ekipeve të të dhënave të hapura në pesë institucionet, regjistrimi dhe katalogjizimi i seteve të të dhënave, prioretizimi i seteve të të dhënave, krijimi dhe publikimi i seteve të të dhënave në format të hapur, si dhe krijimi i procedurave interne mbi të dhënat e hapura të institucioneve. Mes tjerash, është realizuar trajnimi për trajnuesit nga ana e ekspertëve të Institutit të të Dhënave të Hapura nga Britania e Madhe, me pjesëmarrje të 12 (dymbëdhjetë) përfaqësuesve të 9 (nëntë) institucioneve shtetërore. Gjithashtu është përgatitur webinar (video-trajnim) me 10 (dhjetë) leksione mbi të dhënat e hapura dhe vendosja e tyre në Portalin data.gov.mk. 

,,Në Programin e punës së Qeverisë për vitin 2022, është parashikuar Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shfrytëzimin e të dhënave nga sektori publik, përkatësisht harmonizimi me Direktivat e BE-së për të dhënat e hapura dhe ri-përdorimi i informacioneve nga sektori publik. Sjellja e këtij ndryshimi ka për qëllim që të kontribuojë mbi zhvillimin e ekonomisë, përkatësisht rritjes së prodhimit bruto-vendor, rritjes së numrit të vendeve të reja të punës, si dhe zhvillimit të inovacioneve. Me këtë rregullore rritet transparenca e punës së organeve dhe institucioneve të sektorit publik, përmirësohet efikasiteti i punës së administratës publike dhe kontribuohet drejt reduktimit të korrupsionit në të gjitha nivelet”, potencoi ministri Aliti, duke shtuar se procesi do të jetë i implementuar në konsultim të gjërë dhe me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga institucionet dhe palët e përfshira.

Në fund të fjalimit, ministri potencoi se të dhënat e hapura nënkuptojnë ndryshim të kulturës së punës në intitucione, rritet transparenca, ndërsa ofrohet mundësi edhe për avancimin e hulumtimit dhe mundësive të biznesit. ,,MSHIA-ja po synon që në mënyrë aktive të punojë në këtë politikë edhe në të ardhmen”, përmbylli fjalimin ministri Aliti.