Aliti: Bashkatdhetarët tanë jashtë vendit do të lidhen me qendrat e diasporës për të realizuar të drejtat dhe nevojat e tyre

Shkup, 12 janar 2023

Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Admirim Aliti mbajti fjalën hapëse në punëtorinë e organizuar nga Ministria e Diasporës në bashkëpunim me MSHIA dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM-Shkup), për të forcuar kapacitetet e të gjithë pjesëmarrësve të përfshirë në projektin Qendrat e Diasporës.

 

Ministri Aliti theksoi se ky projekt, me rëndësi të veçantë për qytetarët tanë në diasporë, mundëson lidhjen e tyre me institucionet në shtetin amë RMV, me çka do të sigurohet realizimi i nevojave dhe të drejtave të tyre.

“Iniciativa për ndërtimin e një ure lidhëse midis qytetarëve në diasporë dhe mëmëdheut, e cila ka munguar me vite dhe nevoja e krijimit të një komunikimi efikas, si dhe efektiv dhe qasje e shpejt deri te nevojat e tyre, janë motivet prej të cilave është nxitur ky projekt. Vlerësoj se me qëllimet e projektit Qendrat e Diasporës do të rritet kujdesi dhe mirënjohja ndaj diasporës që e paraqet shpirtin e realizimit dhe suksesit të këtij projekti”, deklaroi ministri Aliti.

 

Ai gjithashtu theksoi se si ministër, si dhe Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës në tërësi, janë të lumtur të shprehin mbështetjen e tyre për këtë bashkëpunim, me të gjitha lehtësirat dhe shërbimet në dispozicion, për të sjellë rezultate pozitive dhe për të qenë më afër qytetarëve.

“Konfirmoj se sa i përket MSHIA-s, shërbimet, platformat dhe pajisjet digjitale, mbështetja administrative dhe ofrimi i asistencës institucionale, janë gjithmonë të gatshme për këtë projekt. Uroj që kjo nismë e cila është në zhvillim e sipër të mbështetet edhe nga shumë institucione të tjera, sepse besoj se kontributi i secilit institucion përfaqëson një hap më shumë në këtë urë lidhëse”.

Duke uruar përfundim të suksesshëm të punëtorisë, ministri Aliti shprehu besimin se “Qendrat e Diasporës” do të sigurojnë mirëqenie më të mirë, hapje mundësish për mbështetje, lehtësim dhe përshpejtim të procedurave, kushte për tërheqjen e investitorëve të huaj, si dhe zhvillim dhe ndërveprim me komunitetet e biznesit në Maqedoninë e Veriut.